Të gjithë u pagëzuam me të njëjtin Shpirt të Shenjtë
Stefan Zhupa | Posted on |

Ai që i bashkon të gjitha në Trupin e Krishtit është Ngushëllimtari: “Të gjithë ne u pagëzuam me të njëjtin Shpirt të Shenjtë” – shkruan Ap. Pavli. (I Kor. 12:13).
Me anë të Pagëzimit të shenjtë, “skllevërit e mëkatit, ata që nuk kishin guxim të flisnin, që gjendeshin nën pushtetin shtypës të djallit, që si të robëruar dërgoheshin sa andej, këndej, u renditën në radhët e bijve. Dhe pasi flakën tutje tërë barrën e rëndë të mëkateve të tyre dhe si veshën stolinë mbretërore, tanimë reflektojnë pothuajse tërë shkëlqimin e qiellit”, – shkruan shën Joan Gojarti.
Të gjithë ne, me anë të Pagëzimit të shenjtë, veshëm stolinë mbretërore; u veshëm me vetë Krishtin dhe me anë të hirit të Shpirtit të Shenjtë u vendosëm në radhët e bijve të Perëndisë. Emrat tanë u shkruan në qiejt dhe filluam kështu një jetë të re në Krishtin, brenda Mbretërisë së tij, d.m.th. brenda Kishës së tij të shenjtë.
Me anë të Pagëzimit të shenjtë Kisha bëhet nëna e të pagëzuarit: “Me anë të fuqisë së Shpirtit të Shenjtë Kisha rilind dhe u jep jetë të re të pagëzuarve. U dhuron të gjithëve një pamje hyjnore dhe një emër të shenjtë që ata të jenë prej Krishtit” – thotë shën Maksim Pohuesi.
Ndryshimet dhe veçantinë që përçajnë njerëzit para Pagëzimit të shenjtë varrosen në ujërat jetëdhënës të pagëzimores. Të pagëzuarit, duke kaluar përmes pagëzimores së shenjtë, bëhen vëllezër me njëri-tjetrin dhe të ngjashëm me Krishtin. “Perëndia na dhuroi të gjithëve një mënyrë rilindjeje, rilindjen shpirtërore. Të gjithë kemi një atdhe, qiellin” – shën Joan Gojarti.
Kisha, nëna e përbashkët e besimtarëve, i mbledh bijtë e saj dhe i drejton kah Ati qiellor. “U dhuron atyre një marrëdhënie të thjeshtë e unike që vjen prej besimit dhe që nuk lejon të duken dhe të ketë kontradikta të shumta mes tyre, sepse të gjithë janë të bashkuar në të” -shën Maksim Pohuesi. Të gjithë besimtarët, me anë të hirit të Shpirtit të Shenjtë, përbëjnë tërësinë e Kishës, Trupin e shenjtë të Krishtit.
“Të gjithë, – pra, – ne u pagëzuam me të njëjtin Shpirt të Shenjtë”. (I Kor. 12:13).
Leave a Reply