Të falësh nuk do të thotë të harrosh…

Të falësh

Të falësh nuk do të thotë të harrosh…  Atë Haralampos Papadopoulos

Sot është dita e faljes. Tanimë kemi hyrë në periudhën e Kreshmës. Kësisoj, do të kishte qenë mirë të sqaronim një herë e mirë disa gjëra. Pa dyshim, vetë Krishti na kërkon të falim. Falja është mënyrë jetese, madje mënyrë jetese eskatologjike.

Çfarë do të thotë kjo? Në fund të historisë, në Mbretërinë e Perëndisë, do të jemi të gjithë të bashkuar me të, do të jemi një me të. Dhe kjo është në të vërtetë falja. Pra, kur të gjithë të gjejmë një vend në kraharorin e Perëndisë.

Mirëpo, le të jemi me këmbë në tokë. Deri sa të ndodhë kjo, gjërat nuk do të jenë edhe aq parajsore. Në këtë jetë, do të lëndojmë dhe do të na lëndojnë, do të tradhëtojmë dhe do të na tradhëtojnë, do të gabojmë dhe do të mëkatojmë, do të kemi çaste të bukura dhe çaste të trishta. Kjo gjë nuk do të reshtë deri sa të kemi frymë në kraharorët tanë të përvuajtur.

Si rrjedhim, cila është përpjekja jonë?
Të përpiqemi çdo ditë t’ia dalim mbanë në betejën e kahershme për ta shndërruar errësirën në dritë.

Po, përmes hirit të Perëndisë, falim dhe ecim përpara. U japim të tjerëve mundësi, sikurse edhe Perëndia na jep neve, por me një ndryshim: fal, nuk do të thotë harroj. Të falësh tjetrin nuk do të thotë të harrosh të keqen që të bëri, sepse kështu nuk do të arrinim të mësonin se ç’është e mirë, se ç’është e drejtë, se çfarë do të duhej të pranonim dhe çfarë do të duhej të mohonim.

Nëse falja do të njëjtësohej me harresën, domethënë që duke falur të harroja se çfarë më ka ndodhur, atëherë si do ta merrja mesazhin dhe mësimin që Perëndia dëshiron të më dërgojë? Atë mësim të çmuar për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të shpirtit tim?

Pra, të fal, të lë në dashurinë dhe dritën e Perëndisë, por zbraz nga vetja thasët e urrejtjes që më rëndojnë mbi supet e shpirt. Si rrjedhim, nuk lejoj që:

Të shfrytëzosh zemrën time.
Të shkelësh me këmbë vlerat e mia.
Të hysh dhe të dalësh nga jeta ime si të të dojë qejfi, duke plaçkitur ëndrrat e mia më të pafajshme, duke shkatërruar shpresat e mia më të dëlira, duke groposur pafajësinë time.
Të më thithësh dhe të më shkelësh me këmbë në rrugën tënde si bisht cigareje.
Të vazhdoj të jem thjesht lojë e sëmundjes tënde.

Jam bir i Perëndisë, jam krijuar për të jetuar në dritë, në përjetësi; nuk të përkas ty, as ti nuk më përket mua; jam i tiji dhe nuk mund të lejoj që të dhunojnë, të dëmtojnë, të nënvlerësojnë, të përqeshin dhe të shkretojnë ikonën e Perëndisë brenda meje.

E dua dhe më përket ajo që Krishti më dhuroi në Golgotha përmes Kryqit dhe Ngjalljes së tij.

Të fal, por nuk të lejoj të vazhdosh të shkatërrosh shpirtin tim.
Të fal, por marr sërish jetën time në dorë: qesh, thur ëndrra dhe jetoj, duke shijuar dhuratën e Perëndisë, e cila quhet jetë.
Të fal, do të thotë: eci përpara, shoh përpara dhe nuk e kthej më kokën pas. Mbyll dyert dhe dritaret, ndryshoj rrugë dhe numër.

 

Shqip: Stefan Zhupa

Spread the love

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *