Qielli i përgjigjet barbarizmit me pafajësi…

Qielli

Qielli i përgjigjet barbarizmit me pafajësi… – Atë Haralambos Papadopoulos

Në kundërshti me të gjithë ata që deshën një Perëndi të fuqishëm, nënshtrues, të frikshëm dhe kërcënues, ai vjen në historinë e njerëzimit si një foshnjë e pambrojtur, e cenueshme dhe e pafuqishme. Kështu, pra, shfaqet ai që nuk dëshiron të frikësojë, të nënshtrojë dhe të ushtrojë pushtet mbi askënd.

Ai nuk kërcënon, por fton në takim zemra të pafajshme e të thjeshta. Ato që  mund të preken nga e thjeshta dhe e hijshmja. Shpirtra që ia dalin mbanë të besojnë në një jetë ndryshe. Në një jetë përtej barbarizmit të racionalizmit, përtej tiranisë së përsosmërisë apo krenarisë së virtytit.

Për aq kohë sa orvatesh të vrasësh çdo gjë fëmijërore brenda teje, nuk do të jesh në gjendje të takohesh me foshnjën e Betlehemit. Le t’i hehim një sy atyre që iu falen foshnjës hyjnore. Magët, njerëz që u besonin “përrallave”, poezisë. Ata shihnin një aspekt tjetër të jetës, që shkonte përtej pushtetit mbizotërues të mendjes. Barinjtë, njerëz të thjeshtë në jetë. Engjëjt, qenie që si shërbim parësor kanë lavdërimin dhe falënderimin.

Rastësisht u zgjodhën këta persona? Nuk ma ha mendja. Përkundrazi, mesazhi është i qartë: vetëm njerëzit e thjeshtë dhe të përulur, njerëzit e drejtpërdrejtë dhe të çiltër në jetë mund të vështrojnë te foshnja e Betlehemit Perëndinë pa fillim që zbrazi veten për t’u takuar me njeriun. Pra, vetëm ata shpirtra që mund të soditin ato që pjesa tjetër e njerëzve thjesht i vështrojnë dhe që mund të shquajnë pafajësinë e Perëndisë në çdo krijesë të pafuqishme, të frikësuar dhe të munduar.

Këta njerëz mund të soditin lavdinë e foshnjës hyjnore. Të tjerët thjesht do të shpërfytyrohen e do të ngjasojnë me një Herod që kërkon të vrasë çdo gjë që i kujton atë që ai vetë e kishte harruar ose përpiqej ta harronte, pafajësinë…

Qielli i përgjigjet barbarizmit me pafajësi… – Atë Haralambos Papadopoulos

Shqip: Stefan Zhupa

Spread the love

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *