Ngjallja e Krishtit i jep kuptim kohës në botën e rënë
Stefan Zhupa | Posted on |

Çfarë është koha? Çfarë është ajo që duhet të “shenjtërohet” dhe në ç’mënyrë do të “shenjtërohet”?
Koha përfshin gjithë jetën tonë. Ne jetojmë në kohë. Çdo ditë, kur zgjohemi në mëngjes, do të jetë e hënë, e martë, e mërkurë apo çdo ditë tjetër e javës. Do të jetë pranverë, verë, vjeshtë apo dimër. Nuk mund t’i shmangemi dot kohës. Pra, gjendjen e vërtetë të ekzistencës sonë, e gjejmë në kohë. Mirëpo, koha e jetës sonë rrjedh drejt fundit. Kjo gjë, në këndvështrimin e jetës së individit, do të thotë se çdo njeri marshon drejt vdekjes.
Ata që merren me studimin e psikologjisë humane, e kanë kuptuar prej kohësh se e tërë jeta e njeriut, deri në një farë pike, trajtësohet nga dëshira e përhershme për ta hequr mendjen nga ky mendim i pashmangshëm i vdekjes.
Çfarë bën atëherë njeriu?
Njeriu përpiqet ta largojë nga mendja faktin që koha, ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti, e shpie atë drejt fundit të tij. Prandaj, të jetosh në kohë do të thotë të njohësh se në këtë botë gjithçka është e përkohshme. Rinia ikën dhe ti plakesh. Ke njohur dikë, por pas ca kohës ky person vdes ose zhduket nga kjo botë. Koha është vetë ikona, vetë imazhi i botës sonë të rënë.
Nëse do të sillje ndër mend tërë brezat që kanë jetuar para teje në këtë tokë, si edhe shkurtësinë e vetë jetës sate, atëherë do të kuptoje, në këndvështrimin shpirtëror, se përse koha është gjendja më e rëndësishme dhe më e prekshme e ekzistencës së njeriut. Jetojmë në kohë. Kjo do të thotë se që në çastin që lindim ne marshojmë drejt vdekjes. Sigurisht, pjesa më e madhe e njerëzve, nuk mendon vazhdimisht për vdekjen. Merren me shumë çështje. Presin diçka nga koha. Ai që lë një takim me një vajzë, e pret me padurim të shtunën tjetër, ditën që do ta takojë. Ai që do të shkojë me pushime javën tjetër, mendon vazhdimisht për të hënën e ardhshme, ditën kur do të niset. Pra, do të kemi përherë këto “fund”-et e vegjël, të cilët na ndihmojnë të harrojmë “fund”-in e madh. E mbushim kohën me gjëra të kota, të cilat na e largojnë vazhdimisht vëmendjen nga “fund”-i i madh.
Filozofët, njerëzit e mëdhenj të çdo kohe, ata që hulumtojnë thellësinë e përvojës njerëzore, kur arrijnë në pyetjen e fundit rreth ekzistencës, ata zbulojnë se jeta është pa kuptim. Si të vdes nesër, si pas tridhjetë vjetësh, çdo gjë që përpiqem të bëj, çdo gjë që përpiqem të bëhem, është krejt pa kuptim, sepse unë do të zhdukem nga kjo botë. Kësisoj, siç e thashë, nëse nuk ka ndonjë gjë që të të ndihmojë të kapërcesh këtë absurd, atëherë koha e ekzistencës tokësore është e pa kuptimtë.
Përvoja e Ngjalljes së Krishtit është pikënisja e kuptimit të shenjtërimit të kohës, sepse përvoja ortodokse, e cila shtrihet deri në kohën e apostujve, është se në qendër të jetës sonë liturgjike, në qendër të vetë vitit liturgjik, ndodhet e kremtja e Ngjalljes së Krishtit.
Çfarë është Ngjallja?
Ngjallja e Krishtit është shfaqja e jetës së amshuar në këtë botë, e cila është nën sundimin e plotë të kohës, si rrjedhim, ndhe nën sundimin e vdekjes. Ai që u ngjall një herë prej së vdekurish, nuk vdes më. Dikur, Ai që është përtej vdekjes, u shfaq në botën tonë, jo në një botë “tjetër”, jo diku tjetër, por në botën tonë dhe në kohë. Domethënia e Ngjalljes së Krishtit, e këtij gëzimi të madh, është thelbi Krishterimit, dhe ruhet e plotë në jetën liturgjike të Kishës Ortodokse. Ajo që thonë se thelbi i Ortodoksisë, qendra e tërë përvojës së saj është Ngjallja e Krishtit, fsheh një të vërtetë të madhe.
Shkëputur nga:
Fr. Alexander Schmemann,
“The Sanctification of Time”.
Shqip: Stefan Zhupa
Leave a Reply