Marrëzia kolektive gjatë Krishtlindjes – Atë Vasilios Thermos

Marrëzia kolektive
Marrëzia kolektive përjetohet në çdo Krishtlindje në botën perëndimore. Shoqëritë e “qytetëruara” e përsërisin si ritual këtë marrëzi. Vitrinat dhe rrugët stolisen thuajse dy muaj para. Gjatë gjithë kësaj kohe shfaqen vazhdimisht reklama udhëtimesh festuese. Rrobat, lodrat dhe pajisjet e vjetra elektronike zëvendësohen me të reja. Mbarimi i festave na gjen me më tepër kile. 
 
Ku qëndron marrëzia kolektive? Po ia nis nga fillimi. Të gjitha ndodhin për shkak se (1) para dy mijë vjetësh lindi një Foshnjë, (2) që një pjesë e njerëzve e pranuan si Perëndinjeri dhe që nga ajo kohë u quajtën të krishterë. 
 
Po, edhe? Ç’hyn kjo këtu? 
 
Le të shqyrtojmë disa aspekte.
 
1 – Foshnja lindi brenda në një stallë, domethënë me ato pak gjëra të domosdoshme për të realizuar një lindje. Kur u rrit jetoi fare thjeshtë. Aq sa kur dikush i kërkoi ta ndiq pas, iu përgjigj se nuk kishte një çati ku të fuste kokën. Për më tepër, na mësoi të mos jepemi pas gjërave tokësore, por të grumbullojmë thesare në qiell nëpërmjet dashurisë. 
 
Por, ardhjen e këtij Personi ne e nderojmë duke u dhënë pas konsumizmit. 
 
2 – Ky Person e pa veten të lënë mënjanë që kur lindi. Emigroi që të mos e vrisnin, ndërsa gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës së vet u përndoq nga të fortët e kohës. Në fund ia dolën ta çonin drejt vdekjes përmes torturash të frikshme. 
 
Ne që kinse i gëzohemi lindjes së tij shpërfillim të parëndësishmit, ironizojmë të dobëtit, bëjmë ç’është e mundur për të krijuar lidhje me njerëz të fuqishëm, që t’u gjejmë ndonjë vend të mirë pune njerëzve tanë dhe, në përgjithësi, i rregullojmë punët që të jemi me ata që kanë pushtetin, se “kurrë s’i dihet…”. 
 
Nga ana tjetër, në këto çaste, disa mijëra besimtarë, që i besojnë atij Personi, gjenden të burgosur nga të fuqishmit, thjesht dhe vetëm se parapëlqyen ta ndiqnin pas. Por këtu në Perëndim ne tregohemi shpërfillës dhe konsumojmë… 
 
3 – Kur Ai erdhi në botë, disa njerëz të urtë i shkuan pranë. Madje erdhën nga larg, duke ndërmarrë një udhëtim të rrezikshëm, në mënyrë që t’i shprehnin respektin dhe t’i sillnin dhuratat e tyre. 
 
Nga ana tjetër, për Krishtlindje, njerëz që në emër të njohurive dhe shkencës së tyre tallen me ata që i besojnë atij Personi, do të shkëmbejnë mes tyre urimin: “Gëzuar e për shumë vjet!”. Me pak fjalë, ata njerëz që mburren me “arsyen e tyre të shëndoshë” dhe i shohin si njerëz të dorës së dytë të gjithë bashkëqytetarët e tyre që e gjetën kuptimin e jetës tek Ai. E, megjithatë, për Krishtlindje shkëmbejnë urime krishtlindjesh. 
 
4 – Duke qenë se Foshnja që lindi atëkohë bashkoi dy natyrat në Veten e tij, natyrën hyjnore dhe natyrën njerëzore, kjo solli një realitet krejt të ri për të gjithë ne. Të qenit Perëndinjeri përbën fillimin e bashkëpunimit të Perëndisë me njeriun. Tanimë, Perëndia dhe njeriu bashkëpunojnë për çdo gjë. 
 
Mirëpo, shumë nga ata që festojnë këtë të kremte, madje edhe ata që shkojnë në kishë për ta nderuar, sillen sikur ky takim unik i Perëndisë me njeriun të mos kishte ndodhur kurrë. Disa lënë Perëndinë mënjanë, në mënyrë që ta bëjnë vetë atë që ata mendojnë se është më e mirë, disa të tjerë tërhiqen mënjanë dhe presin që çdo gjë ta bëjë Perëndia që ata kanë krijuar në mendjen e tyre. 
 
***
Kjo është marrëzia kolektive. Këto janë thjesht disa aspekte të marrëzisë sonë, qofshim të krishterë apo ateistë. Kemi krijuar festa që të çlodhemi gjatë rrugëtimit të mundimshëm të jetës, çka është krejt e natyrshme. Por kemi harruar Personin, i cili na tha: “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur e të munduar, sepse unë do t’ju çlodh”. 
 
Me pak fjalë, parapëlqyem dhuratat, por jo Personin që na i dha. Kësisoj, bashkë me Personin humbëm edhe dhuratat… 
 
Shqip: Stefan Zhupa
 
 

 

Atë Vasileios Thermos është prift në Kishën Ortodokse Autoqefale të Greqisë. Ka studiuar mjekësi dhe teologji ortodokse në Universitetin e Athinës dhe ka mbrojtur një doktoraturë në të njëjtin Universitet. Krahas shërbimit priftëror në Athinë, ai ushtron edhe zejen e psikiatrit. Është profesor i Teologjisë Pastorale dhe i Psikologjisë në Akademinë Universitare Kishtare të Athinës. Punon si psikiatër dhe psikoterapist me fëmijë dhe adoleshentë në Athinë dhe gjetkë që nga viriti 1990. 

Spread the love

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *