Kreshma dhe Gëzimi – Atë Haralampos Papadopulos

Kreshma

Me gjasë, e keni vënë re, madje mund t’ju ketë ndodhur edhe juve, që, teksa kreshmojmë, shfaqim shenja nervozizmi dhe gjaknxehtësie. Për këtë, shumë ia hedhin fajin djallit. Jam i mendimit që kjo është një zgjidhje e lehtë dhe në interesin tonë, sepse na shmang nga përgjegjësia.

Mirëpo, gjithçka që bën në jetë duhet të ketë kuptim për ty. Njeriu është i etur për gjera që kanë kuptim. Pra, nëse kreshma për ty është thjesht një detyrim fetar, një detyrim “i shenjtë”, një regjim i ndryshëm ushqimor, atëherë, pa më të voglin dyshim, nuk do të të japë gëzim. Dhe gjithçka që bëhet pa gëzim është e dënuar të vdesë e të vyshket prej mërzisë dhe hidhërimeve të jetës së përditshme.

E keni pyetur ndonjëherë veten se si ia dalin mbanë tërë ata njerëz që mbajnë dieta rraskapitëse për të përftuar një trup muskulor, veçanërisht gjatë verës, ndërsa kur vjen puna te kreshma reagojnë ashpër kundër saj ose tregohen mospërfillës? Përse ndodh kjo? Sepse kreshma nuk u thotë asgjë. Nuk kanë brenda vetes shtysa të forta. 

Kur kreshmën e parashtron thjesht si “detyrim”, qoftë ky edhe një detyrim “i shenjtë”, atëherë ajo s’ka jetë, s’ka shije.

Ligji, forma, “detyrimi”, janë gjëra pa shije; janë të papërfillshme për të mbushur zemrën e njeriut. Mungon dashuria e zjarrtë për Krishtin, ajo dashuri që i shndërron të gjitha, ajo dashuri që të pret oreksin, që të largon gjumin, që të shtyn të bësh sakrifica të mëdha për hir të Personit që dashuron, madje deri në kufijtë e marrëzisë. 

Dhe gjithçka e bën me shumë gëzim. 

Le të mos gënjejmë veten: jeta e krishterë ose është dashuri e zjarrtë, ose është një gjë e mërzitshme, e cila të lëndon për vdekje…

Shqip: Stefan Zhupa

Spread the love

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *