Herodi nuk e duron dot dritën – Atë Haralampos Papadopoulos

Herodi
Herodi nuk e duron dot dritën. Nëse Herodi do të shihej vetëm si person historik, atëherë figura e tij nuk do të kishte asgjë për të na thënë veç faktit se dikur paska ekzistuar një njeri i lig. Por, nëse Herodi do ta shihej si një pikë kyç për të kuptuar më në thellësi veten dhe jetën tonë, atëherë nga ai do të kishim për të mësuar mjaft gjëra, sepse Herodi duhet kuptuar në mënyrë shpirtërore, domethënë si ajo pjesë e shpirtit tonë që kërkon të vrasë pafajësinë brenda nesh, që kërkon të vrasë çdo gjë të gjallë, të çiltër, të vërtetë, fëmijërore, të pafajshme dhe hyjnore që gjendet në shpirtin tonë. 
 
Herodi nuk e duron dot dritën. Ai është i izoluar brenda errësirës së tij. Nuk është në gjendje të gëzohet për lindjen e një fëmije, që është vetë Perëndia. Ky është, pra, ferri i njeriut të lig: nuk arrin të gëzohet. Nuk është në gjendje të vështrojë dritën. Ka zili çdo gjë të bukur që vëren në këtë jetë dhe kërkon shkatërrimin e saj. Ai parapëlqen më tepër që miku, i njohuri apo kushdo tjetër, të ketë probleme, në mënyrë që t’i shprehë keqardhjen e vet, se sa të jetë i gëzuar dhe i lumtur, në mënyrë që të jetë i detyruar ta përgëzojë. Parapëlqen fatkeqësinë e tjetrin, jo përparimin e tij. Sepse nëse tjetri do të ndodhej në fatkeqësi, ai do ta ngushëllonte, ndërsa po të ishte i gëzuar, atij do t’i duhet ta përgëzonte. Por këtë të fundit ai nuk e honeps dot. Prandaj, ky është ferri i tij. 
 
Pra, Herodi nuk është thjesht një individ i së shkuarës, por është makthi ynë i brendshëm dhe i përditshëm, i cili, thjesht dhe vetëm për të mbajtur fort pushtetin e vet brenda nesh, do të detyrohej të flijonte shumë “fëmijë” të pafajshëm, domethënë shumë anë të dëlira dhe të çiltra të vetes sonë. Mirëpo Perëndia, nëse ne vërtet do të dëshironim, ka gati shumë plane “arratisjeje për në Egjipt”. Nëse e lejojmë Perëndinë të na flasë “në ëndrrat” tona, atëherë “fëmija” i pafajshëm do të shpëtohej përherë brenda nesh.
 
Herodi nuk e duron dot dritën – Atë Haralampos Papadopoulos
 
Shqip: Stefan Zhupa

—————————

** Përsiatje me rastin e ngjarjes së therjes së njëzet mijë foshnjave me urdhër të Herodit. Ai  shresonte që një ndër ta të ishte edhe Jesui i porsalindur. Kjo ngjarje kujtohet në datën 28 dhjetor.

 

Spread the love

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *