Gëzohuni gjithnjë në Zotin – Atë Aleksandër Shmeman

“Gëzohuni gjithnjë në Zotin; përsëri ju them: gëzohuni!”.
Copëza të zgjedhura nga ditari i atë Aleksandër Shmemanit 

Kam një bindje gjithnjë e më të madhe se krishterimi nuk mund të shprehet përmes “ideve”.

***

Mbrëmë, vonë në darkë, pata ca ndjenja shqetësuese, si ato që më pushtojnë shpesh: ajo që më mahnit në Ortodoksi, që më fal gëzim, që më frymëzon, kryesisht gjatë këtyre dy ditëve të mbushura me dashuri, të shtunën e Lazarit dhe të dielën e Palmave, nuk është e njëjtë me atë që kërkojnë të gjejnë njerëzit në Ortodoksi.

Apostulli i djeshëm thoshte: “Gëzohuni gjithnjë në Zotin; përsëri ju them: gëzohuni!” (Fil. 4:4) dhe pak më poshtë: “kini në mendje të gjitha ato që janë të vërteta, të gjitha ato që janë të ndershme…” (Fil. 4:8). Të gjitha flasin për Mbretërinë e Perëndisë dhe për lirinë e gëzueshme, e cila shndrit në botë përmes Mbretërisë. Së pari, liri prej fesë, prej “turmave” të mërzitshme fetare. Mbrëmë pashë një ëndërr rreth kësaj: po përpiqesha t’i shpjegoja dikujt një gjë tepër thelbësore, e cila mua më dukej mjaft e thjeshtë.

Rrëfime të dhimbshme, njerëz fetarë që mbyllen dhimbshëm në vetvete, një dëshirë e zjarrtë për të “hirshmen”. Vazhdoj të jem i mendimit se nëse njerëzit do të shihnin se çfarë ndodhi asokohe në Jerusalem, ata do të çliroheshin prej kësaj “unë” që dhimbshëm lulëzon mes njerëzve fetarë.

***

Dje lexova sërish kapitullin e Eukaristisë, “Misterin e Blatimit”. Tashmë nuk e di nëse është diçka e mirë apo e keqe, e dobishme apo jo. Por di një gjë: është ajo që ndiej. Është një mendim i thjeshtë dhe lehtësues: nëse ajo që unë ndiej dhe mendoj nuk është e dobishme ose është tashmë e njohur, ose e kotë apo sipërfaqësore, atëherë i gjithë shkrimi do të bjerë në mosekzistencë dhe do të marrë fund. Por unë mund të shkruaj vetëm përvojën time…

***

Ajo çka them nuk është imja; imja është vetëm mënyra si e them. Çelësi i kreativitetit është të sigurohesh që “mënyra si e thua” të përputhet me “atë çka thua”; ky është bashkëpunimi i njeriut me Perëndinë; ky është misteri i lirisë njerëzore.

***

Krishti pyeti nëse do të gjente besim mbi tokë kur të kthehej. Një gjë është e sigurt: Ai do të gjejë një numër të madh fesh dhe ndjenjash fetare. Pikë së pari, Gjykimi i fundit do të jetë gjykim mbi fetë. “Sepse nga fjalët tuaja do të bëheni të drejtë dhe nga fjalët tuaja do të dënoheni” (Mt. 12:37). Gjuha na u dha për të profetizuar, për të lavdëruar, për të dëshmuar, për t’u lutur. Gjithçka tjetër, që nuk bën pjesë në këto kategori, jo vetëm është e panevojshme, por mund të jetë edhe dëmshme.

***

Sipas arsyes, kjo botë është gjithmonë e fuqishme, përderisa ajo e bëri për vete arsyen, në mënyrë që kjo e fundit ta justifikonte. Krishti na flet për mëkatin. Por, pa Krishtin, mëkati është thjesht një problem, të cilit bota i jep zgjidhje dhe zgjidhja është përherë liberale, pozitive, tolerante, plot dashuri… Krishterimi bashkëkohor, dhe kjo të kall datën, po e pranon arsyen e kësaj bote dhe po e mat besimin me ligjet e kësaj arsyeje.

Kësisoj, drita që është në ne u bë errësirë (Mt. 6:23).

***

Tek po mbaroja kursin mbi Eukaristinë, po mendoja se ç’dëm të madh i ka shkaktuar Liturgjisë “devocioni” (feja). Edhe pse nuk i ka ndryshuar asgjë së jashtmi, së brendshmi e ka shfytyruar. Feja dhe ideologjia të skllavërojnë; vetëm besimi të fal liri. Feja dhe ideologjia flet për lirinë, ndërsa besimi flet për bindjen, por vetëm besimi mund të të falë liri (bindja ndaj Perëndisë është liria e vetme që mund të gjendet në këtë botë dhe burimi i vetëm i lirisë). Bota dergjet në mëkat. E megjithatë, sa njerëz të mirë jetojnë në këtë botë të ligë! Kjo më erdhi ndër mend teksa po flisja me atë N. dhe gruan e tij, e teksa po i admiroja përzemërsisht.

***

Njeri i sjellshëm – njeri virtuoz. Midis tyre ka një dallim të madh. Njeriu i sjellshëm është i sjellshëm (i mirë) sepse i pranon njerëzit siç janë dhe i mbush ata me mirësi. Mirësia është e bukur; është gjëja më e bukur në këtë botë. Njerëzit virtuozë janë aktivistë, të pushtuar prej dëshirës për t’u imponuar të tjerëve mirësinë dhe parimet e tyre; ata e dënojnë, e shkatërrojnë dhe e urrejnë tjetrin me shumë lehtësi. Në këtë botë ka shumë virtuozitet, por fare pak mirësi.

***

Individi, kur nuk pranon Kishën, e shfytyron Krishterimin dhe e kthen atë në një narcizisëm dhe egozim spiritual. Kisha, kur nuk pranon individin, e shfytyron Krishterimin dhe e shndërron atë në një fe masive…

***

Dua t’i pyes përherë të krishterët: A janë të gëzuar në besimin e tyre?

***

Forma e më dukshme e ndarjes së klerit nga besimtarët laikë është përjashtimi i tyre nga kungimi, që është përmbushja e të qenit gjymtyrë e trupit të Krishtit…. Kjo është pikënisja e shkëputjes së besimtarëve nga kungimi i shpeshtë, të cilën e nxisin disa klerikë, që e mbajnë veten për mbrojtës të kungimit përmes rrëfimit, shpagimit dhe “autoritetit që më është dhënë…” etj. Kjo luftë dukshëm po vjen duke u shtuar nën ndikimin e disa klerikëve të joshur prej pushtetit të vet, prej “shenjtërisë” së tyre. Asgjë tjetër nuk ua kërcënon më shumë autoritetin se sa kthimi i Eukaristisë në Kishë, domethënë rijetimi i saj si “Mister i Kishës”, jo thjesht si “një mjet shenjtërimi…”.

***

I shkreti atë N. po kalon një periudhë të vështirë me murgeshat e tij. Njëra prej tyre nuk mund t’i dëgjojë dot leksionet në seminar, sepse thotë se ka marrë dhuratën e lotëve. Atë N. e pati nxitur të këshillohej me ndonjë murgeshë më me përvojë në këtë punë. “Kurrë!”, – i qe përgjigjur. Mohim i plotë, urrejtje. Nga vjen ky pasion, kjo çoroditje e çuditshme që sulmon vazhdimisht njerëzit shpirtërorë? Cili është burimi i këtyre krizave të shpeshta apo i kërkimit të vendbanimeve të tjera dhe i konflikteve? Ai që ka dhuratën e lotëve do të duhet të gëzohet. Mirëpo, jo; kjo dhuratë është “problem”.

Ky i ashtuquajtur spiritualitet është i zymtë, irritues, i mohon të gjithë të tjerët, e vë vazhdimisht në dyshim murgërinë. Më kujtohet përvoja që pata në vitet 50-të me N.: telefonata të vazhdueshme, tundime, rënie, mohime, dyshime dhe e gjitha kjo për hir të “jetës shpirtërore”.

***

Eukaristia është përmbushja e gjithçkaje në Shpirtin e Shenjtë. Ky është kuptimi i vërtetë i Epiklesis[1], i bashkimit me Krishtin përmes Shpirtit të Shenjtë.

***

A është e mundur ose a është e nevojshme ta kapërcesh mungesën e disiplinës, përtacinë, dëshirën e madhe për pushtet dhe mëkatin nëpërmjet gëzimit në Zotin? Po!

The Journals of Father
Alexander Schmemann
1973-1983

Shqip: Stefan Zhupa

_____________________

[1] Thirrja e Shpirtit të Shenjtë për të shndërruar dhuratat në Trup dhe Gjak të Krishtit në Liturgjinë Hyjnore.

Spread the love

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *