Fjala u mishërua dhe banoi mes nesh – Metrop. Anthony Bloom

Fjala u mishërua

Fjala u mishërua dhe banoi mes nesh… Nga tekstet e Shkrimit të Shenjtë mësojmë se në çastin që njeriu humbi marrëdhënien me Perëndinë, në çastin që thuajse reshti së bashkëbiseduari me të, bota u vjetrua, u lig me kalimin e shekujve. Apostull Pavli thotë se e tërë krijesa pret me mall çlirimin e bijve të Perëndisë, çastin kur njeriu do të bëhet sërish Njeri në tërësinë e tij, me tërë bukurinë dhe lavdinë që e rrethon atë. 

Ditën që kujtojmë Lindjen e Krishtit, Mishërimin e Birit të Perëndisë, vëmë re që po fillon një epokë e re, që bota jonë e vjetruar, për të cilën Perëndia i madh dhe i frikshëm ishte i largët, ka rritur fundin e saj. “Perëndia në mesin tonë!”. Kjo është domethënia e fjalës “Emanuel”. Perëndia është mes nesh dhe bota jonë nuk është më e njëjta. Tanimë jetojnë në një botë në të cilin ka ardhur Perëndia, në një botë ku Perëndia është fuqia dhe frymëzuesi i gjallë i saj. Vetë jeta, vetë përjetësia tashmë ka ardhur. Për këtë arsye, shën Joan Ungjillori, tek libri i Zbulesës, kur flet për Krishtin si Fundi i gjithçkaje, nuk përdor gjininë asnjanëse për fjalën në greqishte “Esxato”, çka do të ishte e saktë nga ana gramatikore, por përdor gjininë mashkullore “Esxatos”, sepse “Fundi” nuk është një çast kohor, nuk është një gjë që ndodh, por është Dikush që po vjen. 
 
Po, presim ditën kur Perëndia do të vijë me lavdi, kur e tërë historia do të përmbushet, kur gjithçka do të arrijë plotësinë, kur Perëndia do të jetë gjithçka për ne. Megjithatë, Perëndia është mes nesh që tani; që tani na është dhënë të kuptojmë se çfarë është njeriu për shkak të ftesës që ka marrë dhe çfarë mund të bëhet duke hyrë në marrëdhënie me Perëndinë. E gjitha kjo është një dhuratë: Perëndia dhuron dashurinë e tij, dhuron Veten e tij, jo vetëm gjatë kungimit me dhuratat e nderuara, por në çdo mënyrë të mundshme është gati të hyjë në jetën tonë, të mbushë zemrat tona, të vendosë fronin e tij në mendjen tonë, të bëhet vullneti i vullnetit tonë.  
 
Mirëpo, për ta lejuar që ta bëjë këtë, do të duhet t’i dhurojmë atij veten tonë, do të duhet t’i përgjigjemi dashurisë së tij me dashuri, besnikërisë së Perëndisë ndaj nesh do të duhet t’i përgjigjemi me besim, domethënë me besnikëri dhe besim ndaj tij. Dhe çfarë ndodh më pas? Më pas, ne, çdonjëri më vete dhe të gjithë së bashku si Kishë, do të bëhemi ata që thonë: “Ardhtë Mbretëria jote”, do të bëhemi fillimi i përmbushjes së kohës, fillimi i triumfit të lavdishëm. 
 
A nuk ia vlen të luftojmë e të mundohemi për këto gjëra? A nuk ia vlen që të flakim tej çdo gjë që na shkëput nga plotësia, çdo që na ndan nga njëri-tjetri dhe nga Perëndia dhe t’ia besojmë veten tonë Perëndia dhe të bëhemi krijesë e re? 
 
Le të fillojmë pra që tani. Le të lëmë mënjanë ato që nuk kanë vlerë dhe le ta lejojmë Perëndinë ta shndërrojnë triumfalisht jetën tonë. Lavdi Perëndisë për dashurinë e tij! Lavdi Perëndisë që tregohet besnik ndaj nesh dhe që shpreson tek ne. 

Αnthony Bloom
Το μυστήριο της Γέννησης του Σωτήρα
Shqip: Stefan Zhupa
Spread the love

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *