Falja – E Diela e të Lidhurit të Djathit
Stefan Zhupa | Posted on |

Falja (E Diela e të Lidhurit të Djathit) – Atë Aleksandër Shmeman
Tanimë kemi mbërritur në ditët e fundit para fillimit të Kreshmës. Dy nga ditët e javës së të Lidhurit të Mishit, e cila i paraprin të “Dielës së Faljes”, domethënë e mërkura dhe e premtja, janë veçuar si ditë të plota “kreshme”. Në këto dy ditë nuk kryhet Liturgjia Hyjnore dhe i tërë rregulli i shërbesave përmban elementë liturgjikë të Kreshmës. Ja si e përshëndesim fillimin e Kreshmës në mbrëmësoren e të mërkurës me këtë himn të mrekullueshëm:
Mbërriti pranvera e Kreshmës,
lulja e pendimit.
Ejani, o vëllezër, ta pastrojmë veten
prej çdo lloj ndotjeje.
Le t’i psalim Dritëdhënësit
dhe le t’i themi:
Lavdi ty, o i vetmi Njeridashës.
Më pas, të shtunën e të Lidhurit të Djathit, Kisha kremton të gjithë burrat dhe gratë, që “u ndriçuan nëpërmjet kreshmës”: shenjtorët, që janë shembuj për t’u marrë parasysh, që janë udhërrëfyes në artin e vështirë të kreshmës dhe të pendimit. Ne nuk jemi të vetëm në këtë garë që po nisim:
Ejani të gjithë, o besimtarë,
të himnojmë koret e Etërve oshënarë:
Andonin e Madh, Efthimin e shkëlqyer,
çdonjërin në veçanti, dhe të tërë së bashku;
dhe duke shkuar ndër mend jetën e tyre,
ashtu si në një tjetër Parajsë të këndshme…
Ne i kemi ndihmës dhe shembuj:
Le t’i nderojmë tani të gjithë murgjit,
mësuesit dhe Etërit oshënarë,
sepse falë tyre mësuam
të ecim vërtet në udhën e drejtë.
Të lumur jeni ju,
sepse i shërbyet Krishtit…
Së fundmi, mbërrijmë në ditën e fundit, që zakonisht njihet me emrin “E Diela e Faljes”, por do të duhet të përmendim edhe emrin tjetër liturgjik të saj: “Dëbimi i Adamit nga Parajsa e kënaqësisë”. Në të vërtetë, emri i dytë përmbledh të gjithë kuptimin e parapërgatitjes për Kreshmën. Tani dimë që njeriu u krijua për të jetuar në parajsë, për të njohur Perëndinë dhe për të qenë në kungim me të. Mëkati e privoi njeriun nga parajsa e bekuar dhe prania e tij tani në tokë është mërgim. Krishti, Shpëtimtari i botës, i hap derën e parajsës kujtdo që e ndjek atë pas dhe Kisha, duke na zbuluar bukurinë e Mbretërisë, e bën jetën tonë të jetë një pelegrinazh drejt atdheut tonë qiellor. Prandaj, në fillim të Kreshmës, ne jemi njëlloj si Adami:
Adami u dëbua prej Parajsës
për shkak të ngrënies.
Prandaj, i ulur përballë saj,
qante dhe vajtonte me zë të mjerueshëm,
duke thënë:
Mjerë unë! Ç’pësova unë i ziu!
Një porosi të Zotit shkela
edhe nga çdo lloj e mire u privova.
O Parajsë fort e shenjtë,
që u mbolle për mua
dhe u mbylle për shkak të Evës,
lutju Atij që të krijoi ty edhe mua tok,
që të ngopem me lulet e tua.
Prandaj, Shpëtimtari i tha atij:
Nuk dua të humbasë krijesa ime,
por dua të shpëtojë e të arrijë
njohjen e së vërtetës,
se atë që vjen tek unë,
nuk do ta nxjerr jashtë.
Kreshma është çlirimi ynë prej skllavërisë së mëkatit, prej burgut të “kësaj bote”. Pjesa e Ungjillit të kësaj të diele të fundit (Mt. 6:14-21), na parashtron kushtet e këtij çlirimi. Kushti i parë është kreshma, domethënë mospranimi i dëshirave dhe i shtysave të natyrës sonë të rënë si gjëra normale, orvatja për ta çliruar veten nga sundimi i mishit dhe i materies kundrejt shpirtit. Megjithatë, që kreshma jonë të jetë e dobishme, nuk duhet të jetë hipokrite, “sa për t’u dukur”. Nuk duhet “ta shfaqim para njerëzve që po kreshmojmë, por përpara Atit që është në fshehtësi”. Kushti i dytë është falja, domethënë: “Nëse ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve”. Ngadhënjimi i mëkatit, shenja kryesore e sundimit të tij mbi botën, është përçarja, përplasja, ndasia, urrejtja. Prandaj, goditja e parë ndaj kësaj fortese të mëkatit është falja: kthimi kah uniteti, solidariteti, dashuria. Të falësh do të thotë që ndërmjet teje dhe “armikut” të vendosësh faljen rrezatuese të vetë Perëndisë. Të falësh do të thotë të mos pranosh qorrsokakun e pashpresë të marrëdhënieve njerëzore dhe t’i drejtosh ato kah Krishti. Falja është vërtet depërtimi i Mbretërisë së Perëndisë në këtë botë mëkatare dhe të rënë.
Në të vërtetë, Kreshma fillon me Mbrëmësoren e kësaj të diele. Kjo shërbesë e veçantë, kaq e thellë dhe kaq e bukur, në shumë prej kishave tona nuk kryhet. E megjithatë, asgjë tjetër nuk e shfaq më mirë sesa ajo “tonin” e Kreshmës së madhe në Kishën Ortodokse; në asnjë vend tjetër nuk del më mirë në pah ftesa e rëndësishme drejtuar njeriut.
Shërbesa fillon me Mbrëmësoren kremtuese, ku klerikët shfaqen të veshur me stoli të ndritshme. Himnet (vargëzimet) që pasojnë psalmin: “O Zot thirra…”, shpallin fillimin e Kreshmës dhe, përveç Kreshmës, afrimin e Pashkës:
Le ta fillojmë me gëzim periudhën e Kreshmës.
Le t’ia nënshtrojmë veten përpjekjeve shpirtërore.
Le ta pastrojmë shpirtin dhe trupin.
Le të kreshmojmë nga çdo pasion,
ndërsa kreshmojmë nga ushqimet,
dhe le të shijojmë virtytet e Shpirtit të Shenjtë,
që duke jetuar sipas tyre,
të denjësohemi të gjithë
për të parë Pësimin e tërënderuar
të Krishtit, Perëndisë,
dhe Pashkën e shenjtë,
duke ngazëllyer shpirtërisht.
Më pas, si zakonisht, bëhet hyrja me temjanicë dhe thuhet himni i dritësorit: “O Dritë gazmore, e lavdisë së shenjtë…”. Në vazhdim, meshtari qëndron te dera e bukur, para altarit, për të lëçitur paravargun e mbrëmjes, i cili lajmëron gjithmonë mbarimin e ditës dhe fillimin e ditës tjetër. Ky paravarg i madh i kësaj Mbrëmësoreje lajmëron fillimin e Kreshmës:
Mos e kthe mënjanë fytyrën nga shërbëtori yt,
se më pushton hidhërimi.
Nxito të më dëgjosh.
Vëri re shpirtit tim dhe çliroje.
Dëgjojeni me kujdes melodinë e veçantë të këtij vargu, domethënë të kësaj thirrjeje që befas kumbon në tërë kishën: “… sepse më pushton hidhërimi!” dhe do të kuptoni pikënisjen e Kreshmës: ndërthurjen e mistershme të hidhërimit me shpresën, të errësirës me dritën. Tanimë parapërgatitjes po i vjen fundi. Unë tashmë qëndroj përpara Perëndisë, përpara lavdisë dhe bukurisë së Mbretërisë së tij. Ndërgjegjësohem që i përkas asaj, që nuk kam shtëpi tjetër, që nuk kam gëzim tjetër, që nuk kam synim tjetër. Gjithashtu, ndërgjegjësohem që jam dëbuar prej saj e ndodhem në errësirën dhe në zymtësinë e mëkatit, “sepse më pushton hidhërimi!”. Dhe, së fundmi, ndërgjegjësohem që vetëm Perëndia mund të më ndihmojë në këtë gjendje hidhërimi, se vetëm ai mund “ta vëre re shpirtin tim”. Mbi të gjitha, pendimi është thirrja dëshpëruese për këtë ndihmë hyjnore.
Paravargun e përsërisim pesë herë. Dhe ja, Kreshma ka filluar! Stolitë e ndritshme janë hequr. Dritat janë shuar. Kur meshtari lëçit kërkesat e litanisë së Mbrëmësores, kori i përgjigjet me frazën “kyç” të Kreshmës: “Mëshiro, o Zot”. Në këtë Mbrëmësore lexohet për herë parë lutja e shën Efrem Sirianit, e cila shoqërohet me metani të mëdha. Në fund të shërbesës, të gjithë besimtarët afrohen dhe i kërkojnë falje priftit dhe njëri-tjetrit. Ndërsa ata kryejnë këtë veprim pajtimi, ndërsa Kreshma fillon me këtë veprim dashurie, bashkimi dhe vëllazërie, kori psal himne paskale. Tani do të duhet të endemi për dyzet ditë nëpër shkretëtirën e Kreshmës. Por, që tani shohim dritën e Pashkës, dritën e Mbretërisë, tek ndriçon në pikëmbërritje.
Great Lent: Journey to Pascha,
Fr. Alexander Schmemann
Shqip. Stefan Zhupa
Leave a Reply